A ka “peshq më të mëdhenj” se Berisha? Flet ambasadorja amerikane…

0
289

Ambasadorja amerikane Yuri Kim është ndodhur ditën e sotme në qytetin e Vlorës, për të ndjekur nga afër stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021”. Ajo është pyetur nga gazetarët lidhur me situatën që mbizotëron në vend, pas vendimit të SHBA-së për ta shpallur familjen Berisha të padëshirueshme për të hyrë në territorin amerikan. Jo vetëm kaq, por nuk munguan as pyetjet lidhur me akuzat e ngritura nga DASH, apo nëse është ish-kryeministri Berisha një nga “peshqit e mëdhenj” që duan të kapin forcat e anti-korrupsionit.

Ambasadorja amerikane u shpreh se vendimi i SHBA ishte i qartë dhe nuk ka çfarë të shtojë më tepër. “Mesazhi është që Shqipëria po ndryshon, tha ajo, duke shtuar: “Shqipëria është anëtare e NATO-s, Shqipëria do të jetë në BE, është mike dhe aleate e SHBA-së”. Gjithashtu, ajo vuri në dukje se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe se ditët e pandëshkueshmërisë duhet të marrin fund.

Dhe ndërsa mediat po “ziejnë” nga ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit, që e akuzon familjen Berisha për korrupsion të lartë, vetë ish-lideri i PD, në emisionin “Opinion” u shpreh se asnjë prej anëtarëve të familjes së tij, nuk është përfshirë në afera politike. Ai theksoi se bashkëshortja e tij, Liria, ka punuar dhe është vlerësuar me çmime të larta të autizmit, djali i tij Shkëlzeni nuk ka absolutisht asnjë lidhje me Gërdecin, ndërsa vajza, bashkë me bashkëshortin e saj, ka punuar në Kosovë për 7 vjet në pozicione të mira pune me të ardhura që preknin shifrën prej 1 milion e 400 mijë dollarë. /jetanews.com/