Një studim i zhvilluar nga organizata e brezit të dytë të emigrantëve në Greqi jep alarmin rreth procedurës dhe mundësisë të pajisjes me leje qëndrimi emigrantëve nga administrata greke.
Më konkretisht, njofton jetanews.com organizata Generation 2.0 ka zhvilluar një studim të mirëfilltë për të gjithë fazat e qëndrimit të emigrantëve në Greqi deri në pajisjen dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit.
Sipas këtij studimi: “Në secilën fazë të qëndrimit të tyre në Greqi, emigrantët përballen me shumë sfida të ndryshme, pak a shumë të njohura. Këto rrjedhin nga boshllëqet e përhershme institucionale dhe mangësitë aktuale administrative. Në vitin e fundit – për shkak të pasojave të njëpasnjëshme administrative të pandemisë – sfidat e mëparshme janë shtuar, ndërsa janë krijuar të reja që përkeqësojnë qëndrimin tashmë tepër të vështirë dhe për të siguruar qëndrim të ligjshëm në Greqi si dhe aksesin e emigrantëve në të drejtat e tyre të tjera parashikuar me ligj. Një gjë është e sigurt: qëndrimi i ligjshëm lëshon SOS.
Si organizatë, që nga fillimi, ne jemi përqendruar në nxjerrjen në pah dhe adresimin e të gjitha këtyre sfidave si çështje individuale. Sidoqoftë, është koha t’i shohim ato së bashku si dëshmi të të njëjtit problem: qëndrimi i ligjshëm në Greqi është vazhdimisht në rrezik. Në mënyrë që të kishim një imazh sa më të qartë të situatës, ne vazhduam të listojmë dhe të krijojmë një hartë për të gjitha sa më sipër.
Kështu që ne krijuam një “hartë” me sfidat e qëndrimit të ligjshëm. Në të do të zbuloni çështje kryesore. Pastaj mund t’i eksploroni ato një nga një duke klikuar në secilin titull. Pas secilit titull, ka një tekst që shpjegon problemin specifik dhe e lidh atë me një histori njerëzore. Këto histori janë të vërteta. Tregime të njerëzve që kanë kontaktuar me departamentet e të drejtave dhe këshillimit ligjor të organizatës sonë *, në përpjekjen e tyre për të gjetur zgjidhje për problemet që nuk vijnë për faj të tyre, por që përcaktojnë përfundimisht jetën e tyre.
Ajo që ne po përpiqemi të tregojmë është se jetesa e banorëve të ligjshëm në vend nuk është fituar në të vërtetë, por është në një gjendje pasigurie dhe dyshimi të përhershëm. Ajo që ne po kërkojmë të arrijmë është marrja e përgjegjësive nga vetë shteti, i cili ka njohur të drejtën e qëndrimit të ligjshëm për të gjithë këta njerëz.”/jetanews.com/