Amerika bën Shqipërinë kryeqendër energjetike të Ballkanit, investim kolosal

0
356

Nga Sandër Lleshaj

Titulli origjinal: Energji Amerikane në Shqipërinë

Sot është 30 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas disa dekadash ndërprerjeje absurde nga regjimi komunist. Ky përvjetor e meriton të gjithë vëmendjen dhe nderimin, pasi me Amerikën lidhen shumë çështje të vetë ekzistencës dhe prosperitetit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë në rajonin tonë.

Nderimit të vërtetë të këtij përvjetori i parapriu, më datën 13 mars, një ngjarje shumë e rëndësishme, e cila nuk arriti të gjejë vëmendjen dhe vlerësimin e duhur publik, për arsye të marrëzive që, edhe në këtë fushatë elektorale, duket se do të na shoqërojnë, duke vjedhur edhe vëmendjen, edhe kohën, por edhe nervat e qytetarëve.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes Qeverisë së Shqipërisë me ExxonMobil dhe Excelerate Energy ishte dhurata më e bukur në prag të përvjetorit të shqiptaro-amerikan. Vendimi i dy aktorëve të rëndësishëm globalë në fushën e energjisë, për të zgjedhur Shqipërinë si pikën e tyre të hyrjes në Ballkan, ka një domethënie të jashtëzakonshme. Ajo do të duhej të ishte tema që të merrte realisht vëmendjen e publikut. Ajo ka një rëndësi aq të madhe, sa që realisht i tejkalon shumë herë vogëlsitë e panumërta që trajtohen me seriozitetin më të lartë në mediat tona.

Energjia është një ndër sinonimet e vetë strategjisë. Ndaj, ky vendim i madh në fushën e energjisë është padyshim një vendim i rëndësishëm strategjik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmojnë edhe një herë se janë partneri më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Partner strategjik i vërtetë është ai që të mbështet konkretisht në fushën strategjike, ku energjia zë një vend të dorës së parë.

Avantazhi i vërtetë gjeostrategjik i Shqipërisë është pozicioni i saj, i njohur si porta maritime natyrore e gjithë rajonit të Ballkanit. Shndërrimi i këtij pozicioni, deri më sot thjesht natyror, nga një slogan i përdorur pa lidhje, në një aset të mirëfilltë strategjik përbën potencialin më të madh për zhvillimin e vendit tonë.

Orientimi i linjave të furnizmit me gaz të lëngshëm nga SHBA drejt Shqipërisë do të thotë, pak a shumë, ndërtimi i një gazsjellësi të një lloji dhe të një kahu tjetër. Nëse deri më sot, gazsjellësit, përfshi edhe TAP, ndjekin kryesisht kahun Lindje-Perendim, duke sjellë gaz rus apo aziatik në Europë përmes tubacioneve tokësore, marrëveshja e fundit bazohet në një kah tjetër: atë Perendim-Lindje, në një burim tjetër gazi: Amerikën dhe në një rrugë tjetër traporti: detin. Dhe mbi të gjitha edhe detin tonë.

Ndryshe nga shumë kombe të tjerë maritimë, që e kanë bazuar zhvillimin dhe prosperitetin e tyre tek deti, për shekuj me radhë, ky det vetëm sa na ka ndarë nga bota. Që nga 1468-ta e deri në 1990-tën vija e bregdetit tonë ishte vetëm një vijë kufitare që ndante dy botë të ndryshme, ku ne kishim fatin e keq të ishim në skajin e botës së prapambetur.

Përgjatë shumë shekujve, shqiptarët janë rrekur të mbijetojnë në tokën e tyre të pamjafueshme dhe të thepisur si bujq apo blegtorë të varfër, pa arritur që as të njohin dhe as të shndërrojnë në burim mirëqenie detin e tyre dhe mundësitë e jashtëzakonshme që lidhen me të.

Carl Schmitt thotë diku se anglezët arritën të zhvillohen vetëm kur, gjatë mbretërimit të Mbretëreshës Elisabeta e Parë (1558-1603), lanë blegtorinë e prodhimin e leshit dhe u kthyen nga detaria, duke u bërë edhe sundimtarë të botës. Rrugëtim të ngjashëm kanë pasur edhe venedikasit, portugezët, hollandezët, etj.. Deti ka qenë dhe mbetet hapësira e vërtetë për shfrytëzim dhe zhvillim për ato kombe që e kanë pasur mundësinë, por dhe guximin e aftësinë për ta bërë këtë gjë.

Për arsye të shumta, ne ende sot nuk e kemi „zbuluar“ realisht detin si burimin më të rëndësishëm për zhvillimin e vendit tonë. Ende në shkolla u mësojmë fëmijëve se sipërfaqja e Shqipërisë është 28748 kilometër katrorë tokë, por nuk u themi se sa sipërfaqe ujrash detare zotëron vendi; ende rrekemi të gjejmë gjithë zgjidhjet në tokë, duke harruar se potenciali më i madh për zhvillimin tonë është deti; ende merremi më shumë me dhi, djathë apo perime, se sa me ekonomitë e shumta detare, duke e lënë kështu potencialin e jashtëzakonshëm maritim të pa shfrytëzuar realisht.

Ndaj unë i shoh me shumë optimizëm planet për prani të shtuar amerikane në vend, veçanërisht në fushën e energjisë dhe posaçërisht projektet për ta bërë Shqipërinë pikën e hyrjes për gazin e lëngshëm dhe të pafund amerikan. Kjo gjë do t’i riorientojë shumë rrugë lidhjeje të vendeve të rajonit drejt porteve shqiptare, të cilat kanë shansin e madh të rikthehen në lavdinë e dikurshme si porta e hyrjes së Ballkanit dhe si pika e fillimit të Via Egnatia, rrugës së famshme romake që lidhte të dy kryeqendrat e perandorisë së madhe dikur. Kjo gjë do të ndikojë që edhe ne ta shohim më me përparësi detin si burim prosperiteti dhe të emancipohemi sa të jetë e mundur nga toka, nga bagëtia dhe bujqësia e saj.

Më shumë Amerikë në Shqipëri, si në aspektin politik, por edhe atë ekonomik dhe ushtarak do të thotë më shumë demokraci, më shumë siguri, më shumë stabilitet, me shumë perspektivë dhe prosperitet për vendin tonë dhe për të gjithë rajonin.

Në këtë përvjetor të tridhjetë të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjej rastin të përshëndes rolin e gjithë atyre shqiptarëve, që kanë kontribuar apo kontribuojnë për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, si dhe veçoj rolin e ambasadores Yuri Kim, e cila qëndron fuqimisht prapa projekteve të mëdha amerikane në Shqipëri, si forcimi i demokracisë, zhvillimi i ekonomisë dhe thellimi i bashkëpunimit ushtarak mes të dy vendeve./jetanews.com/