Kur raportet njerëzore mposhtin ndasitë artificiale të interesave politike

0
342

Në qytezën e vogël dhe bashkinë e Kamena Vurlas, në rrethin e Fthiotidas prej tri dekadash jetojnë me qindra e mijëra bashkatdhetarë, të cilët tashmë janë integruar plotësisht dhe kanë ndërtuar aty jetën e tyre. Ata janë pjesë e padiskutueshme e komunitetit të qytezës së Kamena Vurlas, të dy qytezave të tjera të kësaj Bashkie, të Molos-it dhe Agjiu Konstantinou dhe dhjetëra fshatrave të tjerë që përbëjnë këtë bashki.  Por, në këtë rrugëtim aspak të lehtë, përtej përpjekjeve të mëdha të vetë bashkatdhetarëve tanë për t’u integruar me mënyrën më të mirë të mundshme në shoqërinë vendase, qoftë në jetën social-ekonomike, kulturore, politike etj, fatmirësisht gjithmonë kanë ekzistuar njerëz dhe figura të shquara të shoqërisë vendase që jo vetëm nuk kanë qenë pengesë, por u kanë qëndruar pranë dhe i kanë mbështetur për të përballur çdo vështirësi, problem apo sfidë.  Padyshim, shoqëria vendase është ajo e cila i përqafoi, i pranoi dhe i futi në gjirin e saj, po ashtu dhe autoritetet lokale, ku në shumë raste, pavarësisht kompleksitetit që mund të kishin  kanë treguar vlera të larta qytetarie. Pushteti lokal aty nuk ka bërë dallime, gjë e cila vlen vërtetë të merret si shembull edhe nga të tjerë.
Kryetari i Bashkisë së Kamena Vurlas, është z. Ioannis Sykiotis, mjek në profesion,  njeri me vlera të larta humane, kulturore dhe profesionale, gjë e cila dëshmon qartë se  jo rastësisht drejton këtë bashki prej vitit 2014 dhe u rizgjodh me diference të madhe në këtë post për mandatin radhës.
Raportet e shkëlqyera të komunitetit shqiptar me atë vendas dhe autoritetet lokale janë një tregues i fortë i cili shkon përtej ndasive artificiale të cilat shfaqen herë pas here në horizont. Kryetari i komunitetit shqiptar në rrethin e Fthiotidës, z. Andrea Toska, i cili jeton në Kamena Vurla bashkë me familjen e tij  për më shumë se dy dekada,  është një nga figurat e shquara të komunitetit, i cili përtej anës profesionale, është i angazhuar fuqishëm në organizimin e komunitetit shqiptar  për kremtimin e festave kombëtare dhe bën përpjekje të mëdha sëbashku me bashkatdhetarë të tjerë për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe zakoneve tona, si dhe për përforcimin e mëtejshëm të raporteve midis dy komuniteteve.
Në çdo aktivitet të organizuar nga komuniteti shqiptar, asnjëherë nuk kanë munguar përfaqësuesit e pushtetit lokal, madje kryetari i bashkisë z. Sykiotis, jo vetëm merr pjesë por gjithmonë është i gatshëm t’u ofrojë çfarëdo lloj ndihme bashkëqytetarëve të tij.  Pasi ai kështu i konsideron, bashkëqytetarë, pjesë e  pandarë të një komuniteti. Ndërkohë, duhet të theksoj si një shembull i rrallë, në këto aktivitete nuk kanë munguar asnjëherë edhe përfaqësuesit e forcave politike, madje në shumë raste kanë marrë  pjesë dhe përfaqësues nga bashkia e Lamias, nga prefektura madje zyrtarë të lartë si deputetë dhe  ministra. Dera e Bashkisë së Kamena Vurlas është gjithmonë e hapur për bashkëatdhetarët tanë. Aty gjithmonë është dikush që do t’i presë, do t’i dëgjojë dhe i gatshëm për t’i ndihmuar dhe kryesori është vet kryetari i bashkisë z. Ioannis Sykiotis. Tashmë shqiptarët nuk janë thjeshtë emigrantë, por qytetarë të denjë të shoqërisë vendase, të një shoqërie që evoluon dhe përballet çdo ditë me të njëjta probleme dhe sfida. Aty bashkatdhetarët tanë kanë ndërtuar jetën e tyre, një pjesë e konsiderueshme prej të cilëve kanë blerë shtëpi, kanë hapur biznese, kanë krijuar familje të përbashkëta, fëmijët e tyre lindin dhe shkollohen me bashkëmoshatarët e tyre vendas.
Aktualisht në Bashkinë e Kamena Vurlës më shumë se 1100 shtetas shqiptarë, brezi parë dhe brezi i dytë,  kanë marrë nënshtetësinë greke dhe kjo në një bashki ku numri i përgjithshëm i banorëve është rreth 12.000. Ndërkohë në rrethin e Fthiotidhas, që i përket Prefekturës së Stereas Elladas jetojnë më shumë se 33.000 shtetas shqiptarë me dokumenta të rregullta. Është një shembull i shkëlqyer i harmonisë ndërshoqërore ku ndasitë nuk kanë vend, por ka vend harmonia, dashuria dhe respekti reciprok.jetanews.com