Brenda pasqyrave banojnë dashuritë…

0
81
Në dt. 14 Shkurt 2021 një aktivitet cilësor do të renditej në radhën e aktiviteteve të Organizatës “Jeta” e njohur tashmë për bukurinë, cilësinë dhe veçantinë e aktiviteteve të saj.
Platforma e Zoom këtë radhë pati në ekranin e saj anëtare dhe dashamirëse jo vetëm të saj,por edhe të botës letrare, shkrimtarë dhe miq të nderuar që patëm fatin t’i dëgjonim me vlerësimet e tyre dinjitoze. Në qendër të ditës një roman dhe gjithë shtjellimi i tij real e letrar. Rreth tij shtatë zonja të nderuara të “Jetës” që janë pjesëtare të një grupi të quajtur “Grupi i ngritjes personale”, nën dorën drejtuese të znj. Sofia Çambiri, psikologe në profesion dhe njëkohësisht mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ky grup i kushtoi vëmëndjen e vet analizës së një romani të një autori shqiptar. Zgjodhëm romanin “Brenda pasqyrave banojnë dashuritë” të shkrimtarit cilësor Dashnor Selimi me banim tashmë në qytetin e Selanikut.
Romani psikologjik e bashkëkohor “Brenda pasqyrave banojnë dashuritë”, jo vetëm që u analizua prej tyre, por u përpi në çdo germë. Fakt me rëndësi është që romani mban emrin e redaktorit Andrea Petromilos, xhaxhait të mikes sonë Boralda Petromilo Papajani dhe reçensues Bujar Muçaj dhe Iliaz Bobaj shkrimtarin, poetin dhe publicistin e njohur tashmë me banim në Patra.
Personazhet morën frymë prej Elsa Legisit, Vjollca Luzajt, Afërdita Selenicës, Ana Boci Paskalit dhe Boralda Petromilos. Ngjarjet u përjetuan dhe tematikat u zbuluan në çdo skutë të tij prej Anila Shehut. Dhe në çdo diskutim, pranë nesh Sofia Çambiri me urtësinë dhe aftësinë e profesionit që e karakterizon, na çonte më tej mendimet, idetë dhe mësimet që thithëm me etje prej romanit. Vendosëm t’i ndanim mendimet tona me miq e dashamirës të Organizatës sonë dhe jo vetëm. Faktikisht u çudita që në platformën tonë të asaj dite, pashë emra dhe figura të nderuara të artit e letërsisë sonë që nga trevat e Shqipërisë, por edhe nga Shkupi, Kosova, Mali i Zi dhe Amerika e largët. Prania e autorit e bëri më të bukur analizën e grupit tonë. Emocionuese fjala përshëndetëse e znj. Elona Kataro presidentes së Organizatës “Jeta” që me ndihmesën e saj të papërtuar, ishte e pranishme në emocionet tona. Emocionuese dhe fjala e autorit, sidomos çasti kur tregoi para nesh zanafillën e krijesës së vet.
Pak fjalë për autorin
Dashnor Selimi u lind në gusht të vitit 1966 në Goricë të Përmetit. Është marrë me letërsi që në moshë të re duke botuar poezi, tregime dhe publicistikë në organe të ndryshme të shtypit lokal e qëndror. Ka botuar librat: “Jetë në dallgë” poezi 2000, “Dritëhijet” poezi 2002, “Lulet e vrara” poezi 2004, “Engjëjt e heshtur” tercina 2006, “Lirikat e anlvjosës” poezi 2009, “Mesha e mbrëmjes” tercina 2014, “Pasioni” roman 2016 dhe së fundi romani “Brenda pasqyrave banojnë dashurite” më 2018.
Është fitues i disa çmimeve letrare si në vendlindje ashtu edhe në emigracion. Ka marrë pjesë në disa antologji me poezi dhe prozë. Është sekretar i Lidhjes së Krijuesve “Dega e blertë ” Selanik.
Përtej një falënderimi…
Zgjodhëm pikërisht datën 14 Shkurt sepse menduam që të hidhnim një tufë emocionesh të bukura në zemrat tona dhe të gjithë artdashësve pikërisht në këtë kohë që ka zymtuar qiellin e gjithë planetit një re e zezë e quajtur Covid -19. Ne si grup në radhë të parë falenderojmë gjithë pjesëmarrësit e mbrëmjes sonë letrare! Falënderojmë stafin drejtues të Organizatës sonë “Jeta” dhe znj. Elona Kataro që na dha mundësinë për këtë paraqitje! Falënderojmë autorin për romanin e bukur që përjetuam duke i uruar krijimtari të pashtershme! Falënderojmë drejtuesen e grupit Sofia Çambiri për aftësinë e saj drejtuese dhe organizuese. Dhe unë si Afërdita falënderoj të gjitha shoqet e mia të grupit për aftësinë dhe seriozitetin e gjithçkaje që sollën para ekranit atë orë letrare. Aktivitete të tjera na presin në vazhdim për të dhënë e marrë sa më shumë çaste e përjetime të veçanta për të cilat kemi nevojë në sfidën ndaj kohëve të vështira që kalojmë.
Afërdita Selenica
Anëtare e bordit drejtues të “Jetës”
Zyra e shtypit pranë organizatës