Diaspora për Shqipërinë e Lirë “denoncon” KQZ-në dhe partitë politike për pengim të realizimit të votës së Diasporës

0
273

Lëvizja “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ka reaguar ndaj Projekt Aktit Normativë të KQZ-së për regjistrimin e shtetasve shqiptarë me vendbanim jashtë territorit të Shqipërisë.

Me anë të një denoncimi publik lëvizja hedh dyshime të forta ndaj KQZ-së dhe mungesës së theksuar të vullnetit politik të partive politike për realizimin votës së Diasporës në zgjedhjet parlamentare 2021. Madje çdo përshpejtim, me “një zgjidhje së minutës të fundit”, hedh dyshime të forta mbi vullnetin real politik”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

REAGIM NDAJ PENGIMIT TE REALIZIMIT TE VOTES SE DIASPORES PËR ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË PRILLIT 2021

Lënda: Përgjigje ndaj KQZ për Projekt Aktin Normativ për regjistrimin e shtetasve me vendbanim jashtë territorit të Shqipërisë

Drejtuar: Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi

Ministri i Shtetit per Diasporen, z. Pandeli Majko

Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Edi Rama

Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha

Partisë Levizja Socialiste për Integrim, znj. Monika Kryemadhi

Të nderuar,

duke iu referuar Projekt Aktit Normativ te KQZ-së mbi proçedurat e regjistrimit të shtetasve shqiptarë me qëndrim jashtë shtetit dhe duke u parasysh faktin se na ndajnë vetëm 65 ditë nga dita e zgjedhjeve të 25 Prillit, ne, lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë, si palë e angazhuar në mënyrë proaktive përgjatë procesit, shprehim shqetësimin tonë përsa i përket vendimmarrjes së vonuar për këtë akt normativ apo dhe mos-miratimin e një numri aktesh të tjera, të cilat do të mundësonin realizimin e kësaj të drejte kushtetuese.

Duke pasur parasysh afatet kohore të rregjistrimit, konfirmimit të kërkesës së votuesit jashtë, dërgimin e dokumentacionit të votimit dhe të gjitha hapat e mëtejshme të rëndësishme për të garantuar një proces transparent dhe të besueshëm, konsiderojmë se status-kuo-ja aktuale dhe pengimi i procesit me arsyetime pollitike apo justifikime burokratike minojnë procesin në terësi dhe përcjellin një mesazh negativ ndaj Diasporës.

Duke u bazuar në kontributin tonë të deritanishëm pranë tryezës teknike të konsultimit me aktorë të ndryshëm pranë KQZ-së, konstatojmë me keqardhje se:

– ka një mungesë të thelluar komunikimi dhe koordinimi ndër-institucional për implementimin e hapave teknikë, që mundësojnë realizimin e kësaj të drëjte kushtetuese

– në këtë kontekst, mungon informacioni i plotë rrëth modalitetit (votimit me postë, elektronik apo pranë përfaqësive diplomatike) të marrë në konsideratë nga KQZ-ja.

– mungon ende infrastruktura me të cilën do te garantohej vota e shtetasve shqiptare jashtë vendit si dhe mënyra e sigurimit të kësaj vote

– mungon një fushatë ndërgjegjësuese dhe informuese mbi hapat për tu ndjekur nga qytetarët që jetojnë jashtë shtetit dhe të cilët dëshirojnë të votojnë

Ndaj, çdo përshpejtim, me “një zgjidhje së minutës të fundit”, hedh dyshime të forta mbi vullnetin real politik.

Në këto kushte, e shohim të nevojshme përgjigjen zyrtare dhe të menjëhershme të KQZ-së dhe partive politike kryesore në vend lidhur me shqetësimet e sipërpërmendura.

Çdo përgjigje e vonuar do të përkthehet si vullnet i munguar politik përkundrejt përafrimit të diasporës me vendlindjen./jetanews.com/