Sa bukuri ka vallja kur kërcejnë shtojzovallet shqiptare në Selanik, Greqi

0
668

Sa bukuri ka vallja kur kërcejnë shtojzovallet shqiptare; gjuha shqipe, e pavdekshme, se shkruhet e flitet nëpër botë.

Nga Kristina Demiri Dojce
Kur mblidhen shqipet, kudo nga janë e nga s’janë, në çdo cep të dheut, edhe dheu i huaj merr gjallëri e mban aromë shqiptarie, por veçmas kjo duket aq bukur dhe aq ngazëllyeshëm në Selanik, në qytetin multikukulturor Helen, ku jeta ndjek ritme të vrullshme në pikëtakimet e ëndrrave të integrimit. Sa na kishte marrë malli për këtë vegim, kujtesë, ëndërrim, fjalë e hedhur në etalonin e gjithëkohësis. bukuri që frymon energji, dashuri ripërtëritje. Dhe këtë na e solli organizata e mrekullueshme “Jeta’ në Selanik.

Organizata “Jeta” në Selanik, me ftesë nga Bashkia e qytetit, ditën e premte më datë 22 Janar në orën 18:00, mori pjesë ne festivalin e shumëgjuhësisë, me vallet tradicionale dhe me njohjen e letërsisë shqipe në Greqi. E vërtetë, kush i pa dhe nuk i duartrokiti. Kush ishte ulur e nuk u ngrit të kërcente me to, në ritmin e bukur të këtyre valleve që vijnë nga trojet, trualli Arbëror. Brez pas brezi vijnë deri në ditet tona. Sa krenare ndjehen gratë dhe vajzat emigrante, që kanë lindur në atë truall të lashtë, të bukur e të bekuar nga Zoti, të vendosur atje ku Dielli është tjetër Diell, atje ku thuhet “Tunjatjata” e zemra të rreh me dashuri e mirënjohje për atë që kemi qënë e jemi, për atë që ëndërojmë të jemi.

Dëgjohet kjo fjalë “Tunjatjeta” çdo mëngjes kur ecin në rrugët dhe shëtitoret, në paralinë e bukur buzë detit, në Selanik e në shtigjet nga kalojmë në gjithë Greqinë. Duket se befas ndihesh e përfshirë në rrjedha të njohura, që të vijnë si jehonë në mendje e zemër bashkë me fëmijërinë, rininë dhe të gjitha stinët e jetës. Është jehona e mallit, dashurisë për mëmëdheun, kthyer në stilemë kujtese, monument që lartohet çdo çast në zemrën e çdo shqiptari.

Sa shumë ndjenja lindin në ato momente, jo vetëm tek ata, ato, që kanë lindur aty,po rrënjët i kanë nga ARBERIA, ALBANIA, NGA ALLVANIA si thuhet në greqisht, ata që në kohë e rrethana të ndryshme u detyruan të largohen duke marrë me vete një grusht dhe…e mallin e pashtershmëm për atë që quhet Atdhe. Ikën për një jetë më të mirë. E GJETËN, E JETOJNË, PO GURI I RËNDË NË VEND TË VET, ndaj veç mall e dashuri kanë për atë fjalë plot magji, për çdo fjalë shqip, për gjestet shqipe, për gjithçka që frymon aq ëmbël dhe aq mungueshëm shqiptarisht. Ata presin veshhapur e mendjehapur dhe kur dëgjojnë zërin e ëmbël, tek bie curlja, telat e çiftelisë dridhen dhe prekin zemrën dhe dëgjohet gërneta, kur gjëmon daullja ngrihen e tunden, hedhin valle e të duket sikur edhe Malet të zënë dorë për dore nga Jezerca në Tomor, nga Alpet,Vermoshi në Moravë dhe Gramoz janë aty për të treguar bukurinë, trimërinë, lashtësinë, të qënit shqiptare.

Sa bukur me qenë shqiptar!
Vallja është shpirti, energjia e ndjenjës së bukur. Për të hedhur hapat mjafton të dëgjosh rrahjet e zemrës e merr flatra, bëhesh flutur ne hapësirën e bukurisë të vallëzimit si shqipet në flutyrim. Shpalosen aty ngjyrat e Shqipërisë, stinët, udhëtimi drejt entisë, udhëtimi drejt vetvetes. Ah, ato veshje aq të bukura, ardhur nga lashtësitë, të mahnitin, të vrullojnë ndjenjat dhe emocionet, dhe nga shpirti del fjala magjike: – Sa bukur! Bukur, gjithçka bukur, madhështore do të thosha unë, kur këto i kanë veshur gratë dhe vajzat shqiptare, që i morën me vete, prikë kudo ku shkuan, për t’i veshur në festa e gëzime.

Sot i kanë veshur gratë dhe vajzat emigrante, që jetojnë,punojnë e gëzojnë prej shumë vitesh në tokën Helene, në Selanik, për të treguar bukurinë e etnografisë shqiptare, kulturën shekullore. Janë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, po malli dhe dëshira për të ruajtur traditën, zakonet, kulturën e vendit të dashur ku kanë lindur, të vendit ku janë rrënjët e tyre, i ka bashkuar në një organizatë jo fitimprurëse me emrin ‘JETA’ dhe shpesh përfaqësojnë komunitetin shqiptar në veprimtari të ndryshme që organizojnë struktura të ndryshme shtetërore të shtetit grek dhe shoqatat e tjera si motra.

Organizata “Jeta” në Selanik , me ftesë nga Bashkia e qytetit, ditën e premte, më datë 22 Janar në orën 18:00 mori pjesë në festivalin e shumëgjuhësisë, i cili si të gjithë aktivitetet e organizuara gjatë këtij viti pandemik ishte online. Ky është viti i tetë që Bashkia e Selanikut organizon festën e shumëgjuhësisë dhe programi u ndoq “live” nga të gjithë direkt dhe këto ditë dhe nëpërmjet JUTUBIT. Kësaj radhe u prezantuan valle tradicionale shqiptare nga grupi i grave nën drejtimin e Margarita Evangjelou, si dhe letërsia shqiptare në emigracion nga znj. Kristina Demiri Dojçe. Ishte hera e parë, që në ketë lloj festivali flitej për letërsinë shqipe. Gjithashtu kryetarja e Forumit Rinor Mary Drosopulos informoi se si funksion ky forum me të rejat tona, vajzat hireplota shqiptare. Ishte hera e parë që zhvillohej on-line, po vështirësitë e bënë edhe me të bukur e u dhane forcë dhe shpresë se do takohen përsëri, do jenë më pranë njera tjetrës dhe pritja një ankth…Do flitej greqisht dhe do dëgjoheshin nga shtetas të ndryshëm, të huaj që jetojnë dhe punojnë, gëzojnë në Greqi. e do të jenë pjesëmarrësës në këtë festival.

Hapet ekrani. Një skenë e vërtetë teatri… Vajzat veshur me kostumet kombëtare. Irisis Hajdinaj, Kryetarja e shoqatës “JETA”, Majlinda Cano nënkryetare e shoqatës dhe një nga organizatoret me mikrofon, si spikere të vërteta lajmërojnë hapjen e festivalit, duke falenderuar Bashkinë e Selenikut për ftesën. E ja në ekran për ne që e ndiqnim nga shtëpitë dhe për vajzat e grupit të valleve ne ambientet e ERIDES, Zonja Argjoro Mumcidou, perfaqesuesja e Bashkise, që falenderon për pjesëmarrjen, për bashkëpunimin me organizatën “JETA”. Ishin të pranishme dhe organizatoret greke Diamanto Fotopoulou (Διαμαντω Φωτοπουλου) Markela Cikla ( Μαρκέλλα Τσίχλα) Zonja Argjiro Mumcidu. (Αργυρώ Μουμτζίδου) shprehu kënaqësinë që gratë shqiptare, tashmë janë të organizuara, që marrin pjesë gjallërisht në aktivitete të ndryshme e përfaqësojnë denjësisht komunitetin shqiptar.e ndjehen te barabarta si gjithë gratë greke, kanë gjetur vetveten. Festojmë e gëzojmë së bashku dhe muzika e valles ”Poganishte” pushtoi sallën dhe ekranin. Valla vinte rrotull e vajzat të bukura si flutura hidhnin hapat. Në krye Margarita, Irini, Nushi, Lindita, Monda, Aishja, Suzana, Lindita Gjini. Nuk ishin të gjitha vajzat e grupit, se nuk lejohej me shumë. Të gjitha me maska sipas rregullit. As pandemia, as maska nuk i penguan të realizojnë dëshirën dhe ëndrrat e tyre, të sjellin pak Shqipëri, pak vendlindje këtu ne Selanik të Greqisë. Vendlindja është e pazëvendësueshme, me asgjë në botë nuk krtahasohet e nuk këmbëhet. Një e vrarë gjuri në gurët e vendlindjes, vlen më shumë se vite qëndrimi në hotele luksoze me pesë yje. Vajzat tona të mrekullueshme. Gjithemonë e ruajnë në sytë e tyre të pandryshueshme imazhin e pritjes, fërgëllimën e mungesës së madhe, është dhimbje, është kujtim, është nostalgji që zbret në zemrën e secilë.

DJEPI MË I NGROHTË ËSHTË VENDLINDJA

Bota globalizohet, shndrohet por vendlinja mbetet e pandryshueshme. Prezantohen.. Jam Margarita, nga Pogradeci, mësuesja e valleve. veshur me kostumin e bukur popullor dardhar Duke qenë në organizatën “JETA” realizova ëndrrën, të kërcej vallet e bukra shqiptare në tokën helene. Amaneti i babait…Jam Xhamxhiu Aishja, nga Berati. Jam Linda Comani nga Korca, Irini Nikolla nga Vlora, Linda Gjindi nga Elbasani Nushi Sali nga Kamenica Susana Maria Doko që nuk i mbante dot lotët për këtë gëzim. Me veshjen kombëtare ndjehem shqiptare e vërtetë Monda Kosta nga Fieri… E gjithë Shqipëria ishte aty, kapur dor për dore,duke vallëzuar.. Mungonte Dhimitra Naqellari, Niqi Profiri, Kristina nga Kolonja Dhanai Hajdinaj nga Tirana, Elena Comani, Kristina Nikolla, Tea Canellari, Maria Aleksiu, Paola Mane,Vanesa Kamberaj, për shkak të Korona virusit- Covid-19, po ne i kemi parë të gjitha se bashku ne skenat, në ambientet e Bashkisë të vallëzojnë e kërcejnë se bashku. sa e sa herë në festivalet e mëparshme. Irisi ia jep fjalën Mary Drosopulos

Kryetare e Forumit Rinor, Informoi se si funksion ky forum me të rejat tona. me vajzat që u jepet mundësia për të studiuar dhe rolin që luajnë në forumet e Bashkimit EUROPIAN. Eshtë greko-amerikane, po flet e shkruan shqip, si një shqiptare e vërtetë dhe është pjesëtare e organizatës ‘JETA‘ Falenderime dhe gëzimi vazhdon. Disa nuk mund të hynin dot, të flisnin e të shijonin këtë lloj festivali on-line. Një farë shqetësimi se nuk po hynte dot edhe Kristina, që sipas programit, do të fliste për letërsinë, krijimet e grave emigrante në këtë fushë të bukur të artit, shkruar në Greqi, në emigracion. Kristina e do shumë te bukrën, në çdo sekondë të jetës.

E BUKURA ËSHTË ESTETIKA E NJERIUT, E SJELLJES, VESHJES DHE E SHOQËRISË.

E bukura e frymëzon Kristinën të shkruajë dhe të jetë gjithmonë mes nesh, fliste IRISI, ne rolin e spikeres me shpresë se Kristina do të ishte midis tyre si gjithmonë. Dashuria është lulja e çdo stine dhe Kristina. i donte shumë këto vajza, që janë bijat, motrat e shoqet e saj e donte t’u shprehte mirënjohje, dashurinë edhe në këtë kohë flame, kohë-karantinë, që nuk takohen dot nga afër. Na vjen keq, qe nuk e kemi mes nesh sot.vazhdon Irisi -Jo Iris, hyra, jam ne linjë -Iris të dëgjoj Më dëgjoni? Të dëgjojmë, po nuk të shohim.. Fol Kristina… Kristina foli, foli për veten e saj, si emigrante…si poete si shkrimtare Jeton ne Greqi gati 30 vjet. Erdhi për një jetë me të mirë e me ëndrra. për të nesërmen, për vete e për fëmijët, familjen. I vështirë fillimi, po kur dëshira është e madhe plotësohen ëndrrat. Krahas punës, për të siguruar një pjatë gjellë dhe një copë bukë, nuk pushoi së punuari për të ruajtur zakonet, traditat e vendit ku u lind, u rrit, ku studioi, ku punoi si mësuese e gjuhes shqipe. Gjuha shqipe, me e bukura në botë, duhet të mësohet edhe këtu, nga brezi ne brezi… Gjuha shqipe duhet shkruar dhe kështu nisi të hedhe në letër, të kaluarën, nga edhi, rreënjët e hedhura në mëmëdhe, dashurinë, kujtimet.

Jane pesë libra sot në fondin e madh të librave në gjuhën shqipe, që Kristina u përpoq t’i falë tek shoqet, miqtë, në Greqi dhe kudo ku flitet shqip. Libri është shoku më i mirë, dhe ajo dëshiron që ai të jetë në çdo familje, se kështu do ruhet gjuha jonë e bukur. Të pestë librat, janë si fëmijët për mua, i dua, po edhe ju duhet t’i doni, se aty jeni edhe ju, secila do të gjejë diçka nga vetja. Të shkruash e të botosh në emigracion është vështirë. ndaj sot në botën elektronike, një mjet dhe vend ku postohen shkrimet është fb, që me të drejtë e quajnë gazeta me e madhe që lexohet. E shkruara mbetet, ndaj ne pamundesi per t’i bere te gjitha libra, shpesh botoj dhe në gazetë. Është në Shqipëri gazeta “NACIONAL” e drejtur nga zoti Mujo Bucpapaj, që më ka shërbyer si urë lidhëse për të pasqyruar jetën, aktivitetet e ndryshme që zhvillohen këtu në Greqi, e të mësojme aritjet në vendin tonë. Nuk e di se çfarë thashë tjetër…Më kishin përmbytur emocionet…Bota arbërore ishte aty, në ato fjalë mirëdashje të thëna me gjuhën më të bukur në botë, që mua më duket sikur mëkon me qumështin e mëmësisë të gjitha gjuhët e botës!

Koha ishte e kufizuar dhe fjalen e mori përsëri zonja Argjiro, që shprehu kënaqësinë për këtë pjesëmarrje me dinjitet të orgazizates ‘JETA‘ dhe për një bashkëpunim edhe në të ardhmen. Falenderoi një për një të gjitha dhe shprehu mendimin, që të jepet mundesia të botohen edhe në gjuhën greke librat e Kristinës, të bashkëpunohet me shkollat, që të njohin kulturën, artin shqiptar.

Zonja Iris Hajdinaj falenderoi edhe një herë për ftesën, për pjesëmarrjen e zonjave të nderuara greke. Festivali u mbyll me nje video nga aktivitetet e Organizatës “JETA’‘, ku pasqyrohen traditat, zakonet, vallet dhe pronovimet e librave…

Ndoshta është një kurë, një terapi, një ikje nga e rëndomta, në këtë mjedis të lodhur dhe stresues pandemie, ku më shumë se kurrë…ndoshta ka vlerë një fjalë, një gjest, një kujtim dhe…ku ka më bukur se kur ato…përcillen me gjuhën e bekuar shqipe…me gjuhën e shenjtëruar që na çon në ato vise mëmdheu që na mungojnë…sa shumë na mungojnë…

Falenderojmë Gazetën NACIONAL , stafin dhe drejtorin e saj, zotin Mujo Bucpapaj për postimin, në numrin e ri të shkrimit për Festivalin e Shumë gjuhësisë, të zhvillur në Selanik, me datën 22 Janar 2021