Dhuna është një problem i madh në çdo shoqëri dhe manifestohet në forma të shumta.
Vajzat e dhunuara pësojnë një goditje të rëndë psikologjike. Reagimet nga opinioni shoqëror janë të dyanëshme. Nga njëra anë jemi ne,në krahë të vajzave që e jetuan deri në kockë këtë torturë, duke i mbështetur,duke i mbrojtur, duke i inkurajuar dhe duke i ndihmuar, që të gjejnë kurajon dhe forcën të flasin hapur, të lehtësojnë shpirtin dhe të çlirohen nga frika,duke u bërë një shtyllë mbështetëse për çdo femër të dhunuar dhe të vetmuar,derisa çekiçi i drejtësisë të bie mbi dhunuesin.
Nga ana tjetër,ka njerëz që i ngarkojnë këto femra me një barrë të rëndë sociale dhe morale.
Ka shumë vajza të përdhunuara,që nuk guxojnë dot të hapin gojën dhe të flasin,duke e lenë veten në mëshirë të fatit, se një ditë kjo gjendje do arrijë fundin pa u marrë vesh nga të tjerët.
Ka vajza që nuk gjejnë dot rrugëdalje,që lotët përvëlues nga vuajtjet trupore dhe shpirtërore i çuan në shkallën e hakmarjes, duke i detyruar të kthehen në vrasëse. Por dhuna nuk është përgjigje.
Ka dhe vajza që nuk e përballojnë dot realitetin dhe në këto situata të pashpresa, marrin vendimin më fatal dhe në mënyrën më tragjike ndërpresin rrugëtimin e ëndrrave të tyre.
Ka edhe vajza,që brenda mendjes dhe shpirtit të tyre lufta e ndjenjave bëhej akoma më e ashpër, që vendosën pas shumë kohësh të flasin lirisht,duke e ditur fort bukur se fjalë të tilla «…tani u kujtua… »do dëgjoheshin nga gojë njerëzish që nuk kuptojnë sa shumë kohë duhet, sa kurajo dhe përpjekje duhet të ekuilibroj brenda vetes çdo emocion dhe të inkurajoj ”vrapin“ drejt çlirimit nga ndjenja e të qenit viktimë dhe të përjetojë lirimin dhe fitoren e brendshme shpirtërore!
Kjo fitore bazohet te vullneti dhe te ngritja personale, duke i dhënë prioritet vetvetes.
Mësoni të doni dhe të respektoni veten tuaj.
Mësoni të njihni vlerat tuaja dhe të jeni besnikë ndaj vetes .
Mësoni të jeni të përgjegjshëm përballë nevojave dhe ndjenjave personale.
Mësoni të thoni «JO».Dua të theksoj se kur themi “…jo…”, i përgjigjemi kërkesës së bërë dhe jo personit.
Çdo gjë mësohet në familje,roli i prindit është vendimtar! E rëndësishme është dashuria,komunikimi,…….përkushtimi dhe gjithmonë në përpjekje të vazhdueshme për të realizuar dëshirat,ëndrrat dhe veten tuaj./jetanews.com/