Pas një periudhe shumë vjeçare ngrirjeje dhe problemesh të shumta në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit, duket se erdhi koha që këto raporte të “rregullohen”.
Të paktën Turqia kështu e vlerëson, ndaj dhe ka vënë në lëvizje njerëzit e saj më të fuqishëm.
Siç raporton gazeta Al Monitor e cila fokusohet tek çështjet e Lindjes së Mesme, kohët e fundit është vënë re një lëvizje dhe qasje midis dy vendeve.
Sipas “Al Monitor” kanë filluar bisedimet midis shërbimeve sekrete të dy vendeve, madje janë zhvilluar tre takime deri më tani. Në një nga këto takime ka marrë pjesë njeriu më i afërt dhe dora e djathë e presidentit turk, Rexhep Erdogan, Hakan Fidan, i cili është në krye të MIT, Agjencia Kombëtare e Inteligjencës Turke.
Sipas gazetës, tre burime zyrtare në kushte anonimiteti vërtetuan se janë realizuar tre takime ndërmjet zyrtarëve të lartë izraelitë të shërbimeve sekrete me homologët e tyre turq. Këto takime janë zhvilluar tri javët e fundit, por ende nuk ka informacion se në cilin vend u zhvilluan ato dhe se në një nga këto takime ka marë pjesë kreu i MIT Hakan Fidan.
Vlen të theksohet se që nga muaji maj i vitit 2018 në asnjë nga të dy vendet nuk kishte ambasador, pasi Turqia dëboi ambasadorin e Izraelit pas sulmeve të përgjakshme në Gaza dhe vendimit të Uashingtonit të transferojë ambasadën e SHBA-ve nga Telavivi në Jeruzalem.
Burimet e Al Monitor, megjithatë, tregojnë se kësaj here bisedimet midis Ankarasë dhe Tel Avivit në nivelin e shefave të inteligjencës të dy vendeve kanë si qëllim të vetëm rikthimin e marrëdhënieve të tyre diplomatike dhe zhvendosjen e ambasadorëve në dy kryeqytetet. Gjithashtu konsiderohet se Turqia vlerëson se me zgjedhjen e presidentit të ri amerikan, Joe Biden, “dora” e shtrirjes do të jetë më e ngurtë nga Amerika dhe kjo ka ngjallur frikë në Ankara, ndaj dhe ata gjykojnë se duke krijuar afrimitet me Izraelin, “dora” e SHBA-ve do të jetë më e “butë” dhe e “disponueshme”, sipas Gallia Lindenstrauss, një studiuese e lartë në Institutin Izraelit për Studime të Sigurisë Kombëtare.
“Të dy vendet mund ta paraqesin atë [qasjen] si një hap të vullnetit të mirë për administratën e ardhshme të Biden, e cila ndoshta do të jetë më e interesuar në zbutjen e tensioneve midis Izraelit dhe Turqisë sesa administrata Trump, e cila nuk e promovoi këtë agjendë”, shtoi ajo. /jetanews.com/