Alarmohen ambasadat izraelite pas kërcënimeve të Iranit

0
315

Në alarm është vendosur qeveria e Izraelit pas kërcënimeve të Iranit. Klima midis Teheranit dhe Tel Avivit është shumë e tendosur dhe tensioni është shtuar pas vrasjes së shkencëtarit iranian të shkencës bërthamore.

Izraeli ka vënë në gatishmëri të lartë ambasadat e tij në gjithë botën, pasi Irani kërcënoi publikisht se do të hakmerret për vrasjen e Mohsen Fakhrizadez, shkencëtarit bërthamor që u vra gjatë një prite nga njerëz të armatosur në makinën e tij jashtë Teheranit.

Pas kësaj vrasjeje, Hasan Rohani u shpreh se Irani do të hakmerret.

“Populli ynë është shumë i zgjuar për të rënë në grackën e regjimit sionist. Ata duan të krijojnë kaos, por duhet të dinë që ne i kemi zbuluar dhe ekspozuar, ndaj nuk mund të kenë sukses. Sigurisht që Irani do t’i përgjigjet martirizimit të shkencëtarit tonë”, tha veç të tjerash presidenti iranian gjatë një fjalimi televiziv, duke lënë të kuptohet që Izraeli duhet të përgatitet për një sulm të papritur prej tyre.

Ministria e Punëve të Jashtme të Izrealit, nëpërmjet një përfaqësuesi të saj deklaroi se nuk do të bëjë komente për çështjet e sigurisë në lidhje me misionet e saj diplomatike jashtë vendit. Megjithatë, marrëdhëniet e tendosura diplomatike midis dy shteteve kanë shkaktuar shqetësim në komunitetin ndërkombëtar. /jetanews.com/