Si të falim vetveten dhe të ecim përpara

0
232

Jo vetëm shoqëria apo rregullat e saj bëhen ndonjëherë pengesë që ne të ecim përpara në jetën tonë. Jo rrallëherë ndodh që vetvetja jonë të shndërrohet në armikun tonë më të madh, duke na mbajtur peng dhe mos na lejuar të vazhdojmë rrjedhën e jetës sonë të lumtur dhe të kënaqur me ato që kemi.

Çfarë duhet të bëjmë në rastet kur jemi ne ata që i sajojmë pengesa nga më të ndryshmet vetes sonë?

Kjo shkaktohet shpeshherë pasi jemi në kërkim të modelit perfekt që kemi në mendje për veten tonë. Dhe ky rrugëtim drejt perfeksionit shpesh shoqërohet me stres, ankth dhe ndjenja të pakëndshme. Në qoftë se do të ndalojmë së kërkuari modelin perfekt dhe të shohim më qartë rreth e rrotull duke zbuluar origjinalitetin që fshehim brenda vetes, pa u shoqëruar nga ndjesia e fajit, atëherë e përditshmja jonë mund të jetë shumë herë më e bukur.

Sigurisht që nuk është e lehtë, siç nuk është e lehtë të heqim edhe kompleksin që mund të kemi me trupin tonë. Por në qoftë se do t’ia dalim mbanë të pajtohemi me pamjen tonë fizike, me të mirat dhe difektet që ka, atëherë jo vetëm që do të ndalim së akuzuari dhe ironizuari veten tonë, por mbi të gjitha do të mësohemi ta duam më shumë atë.

Është mirë që të shprehemi për çdo gjë që na shqetëson apo na vë në mendime, për të cilat nuk gjejmë dot ndonjë shpjegim apo zgjidhje. Në qoftë se ia dalim mbanë të shprehemi (qoftë edhe në formë të shkruar), do të kemi mundësi të kuptojmë se çfarë na ndodh dhe për çfarë arsye. Por që të arrijmë deri në atë pikë sa të qartësojmë gjithçka, duhet që të shprehemi hapur, të bëjmë deklarata sikur rrëfehemi. Duhet të guxojmë, sepse funksionon në mënyrë të përsosur për të falur veten tonë.

Mendimet negative vetëm keq mund të na bëjnë. Ndjenjat toksike por edhe veprimet janë praktika që asnjëherë nuk kanë ndihmuar personat që i kanë ndjekur. Në vend të tyre, mirë do bëjmë që të adobtojmë qëndrime pozitive ndaj jetës dhe vetes sonë, me nota të larta optizimzmi që gjithmonë ndihmojnë.

Meqënëse e ardhmja është e panjohur, gjithmonë ia vlen të jetojmë të sotshmen. Vetëm e tashmja është frekuenca e kohës mbi të cilën kemi akoma pushtet. Le të lëmë pas ndjenjat dhe eksperiencat e këqija të së shkuarës dhe të përqëndrohemi tek e sotshmja. Gjithmonë me shpresën se ditë më të mira do të vijnë!

Të falësh vetveten nuk është aspak një procedurë e lehtë, madje sipas shumë psikologëve, është heroike t’ia dalësh mbanë. Por në qoftë se ne do të kemi një imazh të qartë se ku ndodhemi dhe doza të mëdha dashurie për veten tonë, nëse do çelim një dritare dhe të lëmë dritën të hyjë në shpirtin tonë, nëse do të lëmë shpresën dhe gëzimin të zëvendësojë ankthin dhe stresin, atëherë jeta jonë dhe e të afërmve tanë do jetë shumë herë më e bukur. Ia vlen ta provojmë që sot!

/jetanews.com/