Dëshmi të reja nga shkëmbinjtë antikë në Australinë perëndimore dhe Afrikën e Jugut na bëjnë të shqyrtojmë faktin se lëvizja e pllakave tektonike të planetit tonë filloi shumë më herët sesa mendonin gjeologët më parë.
Deri më tani ka qenë e vështirë për gjeo-shencëtarët të përcaktojnë se kur filluan të krijoheshin kushtet e favorshme për lëvizjen e pllakave, pasi ekzemplarët e kampionëve të lashtë nga brendësia e Tokës janë praktikisht joekzistente. Treguesit më të vjetër deri më sot të lëvizjes së pllakave tektonike datojnë rreth 2.8 miliardë vjet më parë.
Por shumë shkencëtarë të tjerë kanë besuar se pllakat tektonike filluan të lëviznin shumë më vonë, rreth një miliardë vjet më parë. Studimi i ri i udhëhequr nga Alec Brenner i Laboratorit të Paleomagnetizimit të universitetit të Harvardit që u botua në revistën shkencores “Science Advances” arrin në konkluzionin se lëvizja e pllakave tektonike filloi të paktën 3.2 miliardë vjet më parë.
Sipas Brenner, “shtresat shkëmbore të çdo lloji, të formuar gjatë gjysmës së parë të historisë së Tokës mbulojnë më pak se 5 % të sipërfaqes së saj sot. Dhe ato që kanë mbetur, janë “grushtuar” nga 3 miliardë vjet histori gjeologjike, kështu që studimi i tyre ngre pikëpyetje nëse informacionet që ato përmbajnë janë vërtet të hershme apo kanë të bëjnë me proceset e periudhave më të vonshme”.
Nga ana vjetër, mikroskopi i teknologjisë së re Quantum Diamond Microscope që krijuan fizikanët e Universitetit të Harvardit dhe MIT, i cili mund të kapë imazhe magnetike të shtresave të lashta shkëmbore me rezolucion të lartë, ndihmoi shkencëtarët të konkludonin se para 3.2 miliardë vjetësh korja e Tokës lëvizte me një shpejtësi prej 2,5 centimetra në vit, afërsisht e njëjtë me lëvizjen e kontinenteve sot.
Në ditët e sotshme korja e Tokës përbëhet nga 15 pllaka tektonike mbi të cilët qëndrojnë kontinentet dhe oqeanet. Lëvizja e pllakave tektonike ka përcaktuar formën aktuale të kontinenteve, formë e cila ndryshon me kalimin e kohës. Deri më sot dimë që Toka është i vetmi planet që ka pllaka tektonike të lëvizshme.
Lëvizja e pllakave tektonike “gjallëroi” planetin tonë duke krijuar malet, duke stabilizuar klimën por edhe duke shtruar rrugën për zhvillimin e jetës.
Kuptimi i këtij evoluimi do të ndihmojë shkencëtarët që të studiojnë më mirë hapësirën dhe planetet e tjerë për mundësinë e gjetjes së jetës jashtëtokësore në univers.