Keni dëgjuar për bimë që mund të prodhojnë dritë pa pasur nevojë për… prizë? Ky ishte rezultati i një pune kërkimore nga një grup ndërkombëtar shkencëtarësh. Duket e pabesueshme dhe mendja të shkon tek filmat fantastiko-shkencorë si “Avatar” me xhunglat të mbushura me bimë që ndriçonin.
Por ja që këtë herë flasim për fakte reale ku shkencëtarët u mbështetën në bio-luminishencën e disa kërpudhave dhe në mekanizmin përkatës biologjik që zbuluan rreth një vit më parë. Duke injektuar në bimë ADN-në e lëtyre kërpudhave, arritën që edhe këto bimë të nxjerrin nga të gjitha pjesët përbërëse të tyre (gjethe, lule, rrënjë, kërcell) një dritë të këndshme të gjelbër nga çelja deri në vyshkjen e jetëgjatësisë së tyre, pa pasur asnjë efekt anësor të dukshëm.
Në këtë eksperiment morën pjesë 27 kërkues të Institutit të Shkencave Mjekësore të Londrës, të Institutit të Kimisë Biokimike të Akademisë së Shkencave ruse, të kompanisë bioteknologjike “Planta” dhe të Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë së Austrisë. Një përmbledhje e punës së tyre kërkimore u botua në revistën e bioteknologjisë “Nature Biotechnology” ku thuhet ndër të tjera se fillimisht eksperimentet u zhvilluan me bimën e duhanit që ka një kod të thjeshtë gjenetik dhe zhvillohet me përmasa të shpejta. Testimet e suksesshme bënë që eksperimentet të vazhdonin edhe me bimë të tjera, si trëndafili etj.
Luminishenca biologjike apo biofotogjeniteti si mund të thuhet ndryshe, përgjithësisht, mund të jetë tipar i të gjitha bimëve në përgjithësi, me modifikimin e duhur gjenetik, ishte konkluzioni i kësaj pune shkencore.
Megjithëse kërpudhat nuk kanë lidhje të ngushtë me bimët, ato kanë një molekulë të përbashkët organike (acidi kafeik). Kjo molekulë prodhon dritën e kërpudhave përmes një cikli metabolik që përfshin katër enzima. Acidi kafeik që nuk ka asgjë të përbashkët me kafeinën përveç emrit të ngjashëm, është gurthemeli i boshtit të tyre që u jep forcë mureve të qelizave dhe është pjesë e biomasës së bimëve.
Bimët e modifikuara mund të prodhojnë mbi një miliardë fotone në minutë. Pjesët më të reja të bimës, në veçanti lulet, shkëlqejnë më shumë nga pjesët e tjera. Shkencëtarët thonë se drita biologjike mund të përdoret për të studiuar më mirë brendësinë e bimëve dhe reagimet e tyre ndaj mjedisit. Gjithashtu, këto bimë mund të përdoren për qëllime estetike dekorative, ndërsa disa parashikojnë se në të ardhmen ndoshta pemë me dritë të fortë mund të zëvendësojnë ndriçimin artificial të rrugëve.
Metoda e re e bioteknologjisë do të shfrytëzohet për qëllime komerciale nga kompanitë e reja (start-up) “Planta” dhe “Light Bio”, që si fazë të parë do të merren me krijimin e bimëve dekorative që do të lëshojnë ndriçimin e tyre në mjedise të brendshme zyrash apo shtëpish dhe pse jo, pak vite më vonë mund të bëhen pjesë edhe e shtëpive tuaja.
Më vonë, me më shumë përmirësim, pritet që ato të ndriçojnë akoma më shumë dhe madje të ndryshojnë ngjyrë në varësi të reagimeve të tyre ndaj njerëzve dhe mjedisit. Kështu, në këtë botë me kaq shumë mutacione, edhe bimësia imagjinare e “Avatar” mund të kthehet në realitet. Përshtati në shqip.