Korona virusi solli lockdown në gjithë rruzullin tokësor, duke izoluar qarkullimin në qytete të mëdha dhe të vogla. Si pasojë e qëndrimit në shtëpi, shumë qytete me miliona banorë “shpëtuan” nga trafiku i rënduar në rrugët qëndrore të tyre. Por një studim i ri na thotë se nuk është vetëm izolimi që ndihmon në kufizimin e lëvizjes, por edhe modelet që përdorin epidemiologët për të studiuar përhapjen e sëmundjeve infektive.
Në fakt, në një kohë kur kemi zhvilluar modele kompjuterike për kaq e kaq fenomene komplekse që ndodhin në Tokë, lëvizja e automjeteve dhe trafiku i rënduar urban si koncept është vështirë të gjejë mirëkuptimin e njerëzve.
Akademiku Meead Saberi i një universiteti australian hodhi hipotezën se çfarë mund të ndodhë nëse aplikohet një model epidemiologjik për të përmirësuar qarkullimin rrugor. Në punën e tij kërkimore që u botua në revistën “Nature Communications” z. Saberi dhe bashkëpunëtorët e tij na tregojnë për suksesin që u shënua duke parashikuar bllokimin e qarkullimit në 6 qytete të mëdha bazuar në modele epidemiologjike dhe harta topografike. Thënë ndryshe, ata zbuluan se me çfarë shpejtësie të madhe përhapet kaosi i trafikut urban duke marrë parasysh shpejtësinë me të cilën përhapet një virus infektues nga një person tek tjetri.
Profesiori dhe ekipi i tij i punës kërkimore flasin për “nivelimin e kurbës” së qarkullimit rrugor njësoj sikur të ishin mjekë të Infektivit. Këshillojnë që të shmangim lëvizjen gjatë orëve me qarkullim të rënduar jo vetëm tani që jetojmë në periudhën e pandemisë, por edhe gjatë të përditshmes sonë në të ardhmen.
Bazuar në modelin e tyre, ndërhyrjet në transport mund të jenë më efektive, të përqendruara në pika të caktuara që mund të sjellin rezultate reale në lehtësimin e trafikut rrugor. Por, duke përdorur sërish gjuhën mjekësore, sipas tyre nuk do mund të flasim dot kurrë për imunitet kundër trafikut rrugor.