Në qoftë se i adhuroni udhëtimet, në pamundësi për të prerë biletat drejt destinacioneve të ëndrrave tuaja, zgjidhja më e mirë është që… të udhëtoni përmes librave. Kështu, si me magji do të bëhet transporti juaj nga kolltuku ku jeni ulur, drejt aventurave të mrekullueshme në të gjithë botën, në vende të afërta dhe të largëta dhe çdo faqe libri që do të lexoni, do t’ju ndihmojë të përjetoni ndjesi të paprovuara më parë.
Ndaj, nëse i adhuroni udhëtimet, më poshtë po ju listojmë katër libra që duhet të jenë patjetër në bibliotekën tuaj.
“Alkimisti” – Paolo Coelho
“Alkimisti” është një nga librat më të shitur në të gjithë botën, i cili ka frymëzuar njerëzit që të ndjekin ëndrrat e tyre. Fillimisht u shkrua në portugalishte por është përkthyer në 56 gjuhë të ndryshme. I riu Santiago u vu në kërkim të një thesari duke udhëtuar nga Spanja drejt Egjiptit, por në vend të thesarit, ai zbuloi diçka akoma më të vyer, një pjesë të vetes së tij që as ai nuk e dinte që ekzistonte. “Thuaji zemrës se frika nga vuajtja është më e keqe sesa vuajtja vetë. Asnjë zemër nuk ka vuajtur kur ka ndjekur ëndrrat”, është një nga mësimet më të vyera të kësaj kryevepre shkruar nga Paolo Coelho.
“Plazhi” – Alex Garland
Nëse adhuroni udhëtimet, patjetër që duhet të lexoni “Plazhin” e Alex Garland. Ngjarjet në këtë libër zhvillohen në Tajlandë, ku një i ri vihet në kërkim të një zone të pashkelur më parë në ishull. Çdo faqe e librit fsheh një aventurë të re. Bëjeni librin tuajin me mundësinë e parë, pasi do ta shijoni, bashkë me mbi një milion lexues të tjerë që e kanë blerë deri më sot.
Skenari i këtij romani i tërhoqi vëmendjen Hollivudit dhe nuk vonoi të shfaqej në ekranin e madh me protagonist Leonardo di Caprio. Fama e madhe që mori, bëri që shumë kompani turistike ta kishin plazhin Maya Bay (që ndodhet në ishullin Phi Phi Leh ku u zhvilluan xhirimet) si destinacionin kryesor turistik në Tajlandë. Mbi 5000 vizitorë në ditë kishte ky plazh i famshëm, duke bërë që të shkatërroheshin koralet dhe bimësia dhe duke detyruar autoritetet tajlandeze që në vitin 2018 t’i mbyllnin “dyert” e plazhit për vizitorët dhe qëllim rikuperimin e gjallesave. Nëse nuk keni pasur fatin ta vizitonit në të shkuarën, merrni një shije fillimisht duke lexuar këtë libër.
“Si të udhëtoni në botë me 50 dollarë në ditë” – Matt Kepnes
Nuk është shaka! Matt Kepnes është mjeshtri i udhëtimeve luksoze dhe të lira. Si mund të kombinohen të dyja këto? Fare thjesht, mjafton të ndiqni këshillat e tij. Kështu mund të vizitoni destinacionet e ëndrrave tuaja, pa qenë nevoja që “xhepi” juaj të falimentojë. Në faqet e këtij libri do të zbuloni sekrete dhe do të gjeni shumë këshilla sesi të realizoni një udhëtim të rehatshëm me një buxhet që i përshtatet gjendjes suaj ekonomike. Pra, nëse posedoni 50 dollarë në ditë, ëndrra juaj mund të bëhet realitet!
“Ha, lutu, dashuro” – Elisabeth Gilbert
Best seller? Sigurisht që po. Ka shitur më shumë se 10 milion kopje në të gjithë botën. Por jo vetëm kaq. Ka qenë inspirim për shumë gra që të marrin guximin dhe të udhëtojnë të vetme, pa planifikuar asgjë.
Ky libër, që u përqafua nga Hollivudi dhe u bë film me të njëjtin titull (me protagoniste Julia Roberts) është autobiografia e vetë autores. Flet për përpjekjen e saj për të shpëtuar nga një jetë monotone, duke udhëtuar në Itali, Indi dhe Bali.
Jua këshillojmë këtë libër, pasi edhe lexuesi më mosbesues mund të ëndërrojë që të vizitojë Indinë, kryeqendrën e meditimit, ku mbahet takimi me Perëndinë, mund të provojë shije të veçanta të kuzhinës së mirënjohur italiane, por mund të ndeshet edhe me dashurinë, që do t’i ndryshojë jetën përgjithmonë.
Foto është marrë nga Forbes.