Greqia nxjerr lejen e re elektronike të qëndrimit për emigrantët

0
221

Ministria e Emigracionit dhe Azilit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në kuadër të zbatimit të Rregullores së Re të Bashkimit Europian (EU) 1954/2017 për futjen e lejeve të tipit të unifikuar, filloi zbatimin e saj në fillim të muajit nëntor 2020 duke lëshuar lejen e re (kartë elektronike) të qëndrimit me të cilën do të pajisen në vazhdim qytetarët e vendeve të treta të cilët banojnë të ligjshëm në Greqi.

Leja e re elektronike e qëndrimit, e cila zëvendëson dokumentin ekzistues, është një dokument elektronik i sigurisë së lartë dhe përfshin elemente të mëtejshëm të harmonizimit të lejeve dhe  kartave të  qëndrimit të lëshuara nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe parametra shtesë të sigurisë. Në këtë kartë janë instaluar elementë bashkëkohorë të sigurisë që i bëjnë ato më të sigurta dhe të afta të parandalojnë çdo përpjekje për falsifikim apo ndërhyrje të mundshme.

Leja e re elektronike e qëndrimit do të ketë një “çip”/bërthamë elektronike (RFID Chip) me të dhënat biometrike, d.m.th fotografi elektronike të mbajtësit (lloji i pasaportës), shenjat e gishtave dhe nënshkrimin (firmën) e mbajtësit.

Në këtë kuadër të gjitha lejet dhe kartat e qëndrimit që do të lëshohen nga autoritetet greke, do të kenë formën e re sipas Rregullores së Re të Bashkimit Europian, ndërsa nuk preket vlefshmëria e lejeve dhe kartave të qëndrimit të cilat janë lëshuar me formatin aktual të tyre. Këto leje do të zëvendësohen në momentin e rinovimit të tyre.

/jetanews.com/